Letërsia romantike shqipe e periudhës së Rilindjes ka pasur si material burimor mjaft të pasur folklorin e vendit tonë. Një veçori e tillë (frymëzimi nga folklori), haset në edhe në letërsinë romantike të vendeve europiane, por për arsye të ndryshme. Në rastin e letërsisë romantike të vendeve europiane, folklori u shfrytëzua për t’i dhënë letërsisë një karakter origjinal kombëtar, të ndryshme e të pavarur nga letërsia e vendeve më influenciale kulturalisht dhe artistikisht të Evropës, të cilat, në rolin e letërsive “globaliste”, u impononin tiparet e tyre artistike letërsive të vendeve të tjera. Gjithashtu, në këto vende, folklori shfrytëzohej për t’i dhënë artit karakter joelitar, të thjeshtë, të kuptueshëm për masën e gjerë dhe për ta afruar atë me popullin.

    Në rastin e letërsisë shqipe, shfrytëzimi i folklorit nuk ishte thjesht një alternativë, nuk ishte thjesht një ndjekje e modës romantike europiane, por një domosdoshmëri kombëtare. Së pari, në kushtet e pushtimit të gjatë osman, të karakterizuar nga një politikë diskriminuese ndaj popullsisë etnike shqiptare të ndjekur nga grupimi politik xhonturk, të cilët ndalonin përdorimin e shqipes në shkolla dhe në botime, folklori ishte mekanizmi i vetëm për zgjimin e ndërgjegjies kombëtare te shqiptarët. Mbledhja dhe përpunimi i folklorit nuk ishte zgjedhje, ishte detyrë. Së dyti, zhvillimi i letërsisë të shkruar shqiptare para kësaj periudhe ka qenë i kufizuar, për shkak të pushtimeve të gjata e të vazhdueshme. Në një situatë të tillë “mbijetese”, lëvrimi i gjuhës dhe letërsisë shqipe në nivel artistik ka qenë pothuajse i pamundur. Me pjekjen e rrethanave të favorshme (dobësimi i perandorisë osmane, konsolidimi i komuniteteve elitare intelektuale shqiptare brenda e jashtë vendit), erdhi një kohë pak a shumë e përshtatshme për zhvillimin e gjuhë-letërsisë shqipe dhe baza për këtë zhvillim do të ishte folklori shqiptar, i cili, i pakushtëzuar nga kushtet politiko-sociale, ndryshe nga letërsia e shkruar, ishte zhvilluar pa ndërprerje dhe kishte formuar ndër vite, dekada e shekuj një terren të palëkundur artistik.